Në aktivitetin e organizuar nga Komanda e Forcës Tokësore në Zall-Herr me rastin e 15-vjetorit të anëtarësimit në NATO Presidenti Begaj e konsideroi akt historik anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.

Bajram Begaj: Vendosmëria e Shqipërisë për të kontribuar në siguri e mbrojtje tregon se jemi një partner i besueshëm dhe i përkushtuar në Aleancën Euroatlantike. Ne e kuptojmë dhe e dijmë se siguria nuk është vetëm çështje ushtarake, por kërkon stabilitet politik, zhvillim ekonomik dhe respektim të të drejtave të njeriut. Aleatët kanë treguar besim te Shqipëria, kjo është parë dukshëm edhe në investimin më të fundit në bazën ajrore të Kuçovës. Kjo përbën një tjetër shtysë që të vazhdojmë me modernizimin e Forcave tona të Armatosura dhe rritjen e forcimit të kapaciteteve dhe buxhetit për mbrojtjen.

I Ngarkuari me Punë i Ambasadës amerikane , David Wisner, theksoi fuqinë e qëndrueshme të Aleancës:

David Wisner: Forca e qëndrueshme e aleancës së NATO-s është një testament për fuqinë e qëndrueshme të lirisë. Kjo Aleancë do të na udhëheqë rrugën drejt një bote më të sigurt dhe më shpresëdhënëse. Shpresoj që fëmijët tuaj t’i nderojnë gjithmonë betejat që keni përballuar. Qofshin historitë e Shqipërisë dritë për ata që mbeten në errësirën e tiranisë. Dhe shpresoj që shembulli juaj le t’i ndihmojë ata drejt një ditë më të ndritshme.

Të pranishmit ndoqën nga afër demonstrimet e kryera nga efektivët, përfshirë dhe trupat komando.

Në këtë aktivitet u prezantuan pajisjet dhe kapacitetet për mbrojtjen dhe sigurinë, sistemet e komunikimeve taktike, operacionale dhe strategjike. Presidenti Begaj përshëndeti në një lidhje të drejtpërdrejtë edhe efektivët që shërbejnë në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare.

Klan News