Ngjarja në banesën e dy bashkëshortëve tregtarë

Një çift bashkëshortësh mbetën të plagosur me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të diele në kryeqytet. Ishte ora 21:40, kur persona të paidentifikuar shkuan për të grabitur në shtëpinë e Petrit dhe Afërdita Laze.

Por kur u panë në të zotët e shtëpisë, një prej autorëve hapi zjarr duke i lënë të dy të plagosur. Bashkëshortët Laze u dërguan në spital dhe ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Burime për tvklan.al thonë se bashkëshortët Laze janë të dy tregtarë. Ata mësohet se janë me origjinë nga Skrapari dhe u zhvendosën në Tiranë në vitin 1994.

Autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë momentalisht nuk dihen. Në një njoftim të sajin, Policia e Shtetit tha se janë ngritur pika kontrolli dhe se vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Ndërkohë burime nga Spitali i Traumës thonë se Petrit Laze është në gjendje kritikë për shkak se ka marrë një plumb në bark, ndërsa bashkëshortja e tij është në gjendje më të lehtë pasi ka vetëm një plagë në këmbë. /tvklan.al