Një 29-vjeçare nga Dibra është bërë pjesë e emisionit “Historia ime” ku vendosi të tregojë publikisht historinë e saj dhe vështirësitë që ka kaluar në jetë. Ajo preferon që identiteti i saj të ngelet anonim duke bërë një intervistë me kurriz.

29-vjeçarja tregon se u martua me bashkëshortin e parë kur ishte 18 vjeç, por ai filloi të bëhej agresiv, të pinte dhe të ushtronte dhunë. Lindi nga ajo martesë 2 djem, por nuk mundi që të përballonte këtë mënyrë jetese dhe vendosi të ndahej.

29-vjeçarja:Kam dy çuna nga martesa e parë.

Mirela Milori: Kur u martove, sa vjeç?

29-vjeçarja: Në 2010, isha 18 vjeç. Ishte pak me dashuri, pak me shkuesi. Në fillim martesa ishte mirë, pastaj filloi të ndryshojë, nga mendja nuk ishte në rregull, dilte rrugëve bërtiste, pinte, i prishte lekët që merrte djali i vogël pension.

Mirela Milori: Sa vite qëndrove e martuar?

29-vjeçarja: 3 vite e gjysmë ka qenë çuni i madh kur jam ndarë unë dhe i vogli 6 muajsh. Mora urdhër mbrojtje sepse pinte alkool, më bërtiste dhe më dhunonte ndonjëherë. Kishte raste që edhe djalin e madh e shtynte në tokë, 3 vjeç ka qenë. Një herë vëllai e pa tek një lokal duke pirë dhe kishte me vete një dru të madh.

Ishte trembur vëllai dhe erdhi më mori fshehurazi. Kjo ishte dita e fundit që isha në shtëpi, pastaj erdhi në shtëpi tek mami im, kërcënonte, ka dashur të godiste dhe familjarët. Edhe për fëmijët nuk kujdesej shumë, nëpër spitale i çoja vetë, më shumë më ka ndenjur familja ime pranë.

29-vjeçarja tregon se ai mund të kishte probleme mendore sepse bërtiste nëpër rrugë kot dhe bënte sjellje që nuk ishin normale. Ajo tregon se pas ndarjes ai nuk e ka paguar kurrë pensionin ushqimor që gjykata ia caktoi për fëmijët. /tvklan.al