Në RMV merret brenda 24 orësh. 2 ditë në Kosovë

Maqedonia e Veriut renditet e para për numrin e testimeve për Covid-19 në krahasim me Shqipërinë e Kosovën. Por pavarësisht kësaj, përgjigja u jepet qytetarëve në një kohë të shkurtër, brenda 1 dite.

“Sipas buletinit të Ministrisë së Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut kryhen 1200 deri në 1400 teste në ditë për Covid, ndërsa përgjigja merret brenda 24 orëve”.  

Kosova kryen thuajse gjysmë e testimeve të Maqedonisë së Veriut dhe për të marrë përgjigjen për tamponin, duhen 1 deri në 2 ditë.

“Kryhen mbi 500 testime dhe përgjigja merret për 24 deri në 48 orë”.

Shqipëria kryhen afro 1 mijë testime në ditë. Por për të marrë përgjigjen duhen 4 deri në 5 ditë. Vonesat shkaktojnë probleme për qytetarët që mungojnë në punë e nuk kryejnë dot aktivitete të tjera të jetës së përditshme, e po ashtu edhe për bizneset që krahun e punës e kanë thelbësor.

Shefja e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Eugena Tomini thotë se kjo lidhet me numrin e lartë të analizave, duke përfshirë edhe analizat konfirmuese të privatit.

“Në ISHP kryhen analizat e hetimit epidemiologjik, ato të QSUT dhe ato të laboratorëve privatë. Ky fluks i shtuar sjell ngarkesë për laboratorin dhe marrjen e përgjigjes”.

Ekspertët thonë se duhen shtuar kapacitetet e laboratorit të ISHP në mënyrë që rezultatet të mos vonojnë. Në mjaft vende të Europës po aplikohen testet e shpejta ku për marrjen e përgjigjes mjaftojnë vetëm pak minuta.

Tv Klan