Gjashtë ish- deputetët e Partisë Demokratike të vënën nën hetim për ushtrim dhune ndaj uniformave blu në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës pas protestës së 16 Shkurtit, kanë hedhur poshtë akuzat e prokurorisë. Ata publikuan një video në të cilën thonë se faktohet dhuna e Drejtorit te Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu, ndaj tyre.

“Janë munduar të fshijnë materiale filmike, por në videon e shpërndërë nga policia politike dhe prokuroria politike të Ramës, kur punonjësi i policisë jo vetëm ndalon fizikisht duke i kapur deputetët, por unë kam ndërhyrë për ta larguar kur i kishte futur thonjtë në fyt Strazimirit për të cilin kolegu ka edhe raport mjekësor. Deputetët janë të paprekshëm“, u shpreh Flamur Noka.

Ish-deputetët demokratë e cilësojnë një rast të paprecedentë dhe shkojnë edhe më tej me akuzat ndaj drejtuesve të lartë të policisë.

” Shkuam pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, sipas të drejtave që kanë deputetët për të marrë informacion. Kemi shkuar, jemi prezantuar, dhe të penguar nga funksionarë të policisë, u pengua e drejta jonë për të marrë informacion, për t’u informuar, pse jo edhe për të ndaluar shoqërimet e paligjshme. U penguam në të drejtën tonë. Kushtetuta është ajo që i jep deputetit të drejtën të pritet dhe të marrë informacion prej strukturave më të larta shtetërore. U penguam jo më pak se sa 1 orë. E në këto kushte, shkuam të gjithë së bashku me përpjekje në zyrën e drejtorit të policisë. Pamë që detyra e vetme që drejtori i Policisë së Tiranës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, nëndrejtorë, prokurorët në një zyrë ishin të impenjuar nga avujt e alkoolit. Ndërkohë që qytetarët dhunohen, goditeshin, arrestoheshin, ndërkohë që funksionarët ishin sheshuar dhe mbytur nën avujt e alkoolit. Pikërisht aty u ndodhëm përballë një agresioni të disa personave të dehur nga avujt e alkoolit. Kjo ishte situata. Pas atij momenti në cilësinë tonë si deputet ne depozituam një kallëzim penal për ngjarjen. Dje juve na bëtë të ditur se kallëzimi penal i bërë prej nesh, të proceduar ndodhemi ne. Sigurisht kjo nuk përbën më një çudi. Kushtetuta është përballë urdhrit policor të paligjshëm”, deklaroi Enkelejd Alibeaj.

Sipas ish- deputetëve, ata u ndaluan të ushtronin të drejtën e tyre kushtetuese dhe ligjore për t’u informuar mbi ndalimet e kryera nga policia pas protestës së 16 Shkurit dhe për këtë arsye kanë depozituar një kallëzim penal.

Tv Klan