Pasi Gazment Bardhi publikoi fletëthirrjen e SPAK, duke pretenduar se kanë rinisur hetimet për çështjen e “Xibrakës”, edhe këtë herë ka një përgjigjie nga kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në “X”, Rama thotë se drejtësia vepron vetëm me ligje e prova, duke shtuar se gjithë këtyre akuzave të Bardhit të cilin e cilëson “B-ja i vogël” i mungon dëshmia në SPAK.

Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”, shkruan kreu i qeverisë.

/tvklan.al