TikTok-u ‘zien’  çdo ditë nga trendet aq sa bëhet e vështirë që të ndjekësh njërin apo tjetrin. Deri më tani duhet t’ju jenë shfaqur “old money”, “mob wife” apo “vanilla girl” që në fakt përdoren për të përshkruar veshje që i kemi të gjithë në garderobë por Gen Z ka gjetur një mënyrë si t’i rijetësojë.

Nëse nuk e keni bërë ende pastrimin e dollapit dhe mendoni të ruani gjithçka që është në modë aktualisht sipas TikTok-ut, mos e bëni. Ka vetëm disa trende që do t’i rezistojnë këtij viti e ndoshta do t’i shohim edhe në atë pasardhës dhe jo, “tomato girl” s’është një prej tyre.

Trikot

Rrjeti social i njeh si “cardigancore”, por trikot e mbërthyera në kopsën e parë, të veshura me një kanatiere apo sido që të dëshironi janë të preferuara aktualisht, thjesht mjafton të keni një të tillë. Trikot kanë zëvendësuar pulovrat dhe duket se Gen Z i adhuron ndaj nëse edhe ata reagojnë kështu, e dini që ka marrë vulën e aprovimit.

Xhins i dyfishtë

Është një uniformë e  pagabueshme. Xhinse më të gjera, xhaketa ‘oversize’ si dhe këmisha por që këtë të fundit s’duhet ta kopsitni deri në fund. Një palë sandale apo mokasine gjigante, një çantë të zezë dhe jeni gati.

E kuqe qershie

Të kuqen duhet ta keni parë përgjatë gjithë dimrit, por as tani nuk do të mbetet pas. Një bluzë, çantë, xhaketë apo edhe çorape të kuqe do të bëjnë punë për t’i dhënë pak ngjyrë veshjes. Kërkoni “red trend” në TikTok dhe do ju shfaqen mijëra mënyra si ta stiloni.

Jelek

Nëse trikot s’ju pëlqejnë, trendi “grandpacore” sjell jelekët. Në ditë më të freskëta mund të zgjidhni versionin e punuar me shtiza, ndërsa në mot të ngrohtë merrni një material më të hollë, vishini mbi bluze, fustane dhe mos harroni të shtoni aksesorët.

‘Pufka’

Mëngët e fryra, fund i fryrë dhe gjithçka që ju bën të ngjani si një flluskë. Një trend që i përshtatet shumë pranverës ndaj përgatituni të shihni mëngë gjigande, funde të fryra në ngjyra pastel apo me printe.

Fundi poshtë gjurit

Fundet ‘micro’ dhe ata ‘maxi’ i kanë lënë vendin të mesmes së artë: fundit poshtë gjurit. Një zgjedhje praktike që mund të kombinohet me trikot, kanatieret dhe mokasinet. Ndoshta nuk është aq tërheqës sa “sirena e zyrës”, por do të qëndrojë për vite të tëra në gardërobën tuaj./tvklan.al