Policia e Shtetit në bashkëpunim me atë greke, kanë bërë të mundur shkatërrimin e një organizate të madhe që trafikonte lëndë narkotike, kryesisht kanabis. Pas hetimeve të përbashkëta që kanë zgjatur rreth 10 muaj, janë arrestuar 61 persona, mes tyre shqiptarë, grekë, rusë e rumunë.

Në Shqipëri operacioni u përqendrua kryesisht në jug të vendit, në Sarandë, Vlorë, Gjirokastër, Korçë e Gramsh. Gjatë aksionit ku morën pjesë dhjetëra forca speciale u prangosën 14 persona ndërkohë që 6 të tjerë janë ende në kërkim.

Mësohet se lënda narkotike kalonte nëpërmjet kufirit të gjelbër në Igumenicë dhe më tej transportohej në Athinë, ku bëhej edhe shpërndarja.

“Në 10 muajt e hetimeve, në total janë sekuestruar mbi 1 ton kanabis, mbi 23 kg heroinë e kokainë, lëndë narkotike çokollatë, armatime, 25 automjete, dhe sasi të konsiderueshme vlerash monetare”,

tha në një konferencë për shtyp kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

.

Gjatë këtyre 10 muajve janë evidentuar 14 raste të trafikut të drogës drejt Greqisë. Të gjithë anëtarët e organizatës akuzohen për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.

Sipas policisë, gjatë hetimeve të grupit u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Bëhet fjalë për prokurorin e Gjirokastrës, Spartak Çoçoli, cili kërkoi masë sigurie më të butë për dy të arrestuar. Gjykata vendosi për të masën “detyrim paraqitjeje”.

Operacioni i policisë u përshëndet dhe nga Ministri i Brendshëm Lleshaj. Ai theksoi se kjo ishte një betejë e fituar, ndërsa paralajmëroi se lufta ndaj trafiqeve do të vazhdojë.

Tv Klan