Manastirliu: Mbrojtja e personelit mjekësor përparësi e jona

8 tonë mjete të mbrojtjes personale për stafet mjekësore, të financuara nga qeveria shqiptare në kuadër të masave për përballimin e situatës së shkaktuar nga COVID-19, kanë mbërritur këtë të hënë në doganën e Tiranës.

“Janë 8 tonë materiale të mbrojtjes personale, duke filluar nga veshjet, syzet, maskat dhe helmetat mbrojtëse, të cilat do të vijojnë të furnizojnë spitalet tona. Vijojmë me furnizimin në vazhdim me materialet mbrojtëse personale për mjekët, infermierët, epidemiologët, strukturën e Urgjencës Kombëtare kudo në vend. Ka qenë dhe do të mbetet përparësi mbrojtja e mjekëve, infermierëve, atyre që janë në vijën e parë të zjarrit, në luftën dhe betejën kundër COVID-19”, u shpreh Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Duke folur për masat e reja, Manastirliu kërkoi nga qytetarët të vazhdohet me respektimin e masave të vendosura nga qeveria.

“Është shumë e rëndësishme që në këto momente, që do të fillojë edhe një çlirim me pikatore i masave, të tregohemi akoma edhe më shumë vigjilentë, që nga stafet dhe ekipet tona në terren deri tek qytetarët, duke filluar nga distancimi social, i cili në asnjë moment nuk do të duhet të neglizhohet, tek higjiena personale, tek dezinfektimi i ambienteve, tek të gjithë elementët e tjerë, të cilët synojnë të mbrojnë qytetarët për t’i bërë ballë këtij virusi të rrezikshëm, i cili humbet fuqinë e tij nëse nuk lejohet transmetimi”, shtoi ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sasia e re e mjeteve të mbrojtjes personale për stafet mjekësore vjen pas dy furnizimeve të para të porositura nga qeveria shqiptare, prej 15 tonësh, të cilat kanë mbërritur më herët në vendin tonë.

Tv Klan