A do ta shkarkojë Ardi Veliun? Rama: Më falni, por unë zgjedh Drejtorin…



A do ta shkarkojë Ardi Veliun? Rama: Më falni, por unë zgjedh Drejtorin…

13:06 02/06/2020

Kreu i qeverisë Edi Rama gjatë një komunikimi me gazetarët paraditen e kësaj të marte, i dha përgjigje edhe pyetjes se nëse do ta shkarkojë apo jo Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliun, pas deklaratës për nënën e 15-vjeçarit të dhunuar nga policia disa ditë më parë.

Rama tha se deklarata e thënë në atë mënyrë ishte e gabuar, por beson në ndjesën e publike të Veliut dhe shpjegimin që ai bëri.

Kryeministri Rama tha se ka konsideratë të lartë për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, dhe se mes tij dhe moralistëve, ai zgjedh Ardi Veliun.

“Së pari më lejoni të sqaroj që sigurisht që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, për të cilin kam konsideratat më të larta për integritetin, profesionalizmin dhe rezultatet e arritura, në këtë rast ka gabuar, e them pa asnjë rezervë, ka gabuar. Por jam më i prirur t’i besoj ndjesës së tij publike dhe sqarimit që ai dha, sesa gjithë moralistëve të mexhelistëve të këtij vendi.

Është fare e qartë që nuk ishte përpjekje për të justifikuar dhunën, sepse punonjësi i policisë për të cilin flitej, është pezulluar menjëherë dhe është çuar në hetim penal, pra masa është marrë, por ishte një përpjekje e keqshpjeguar për të thënë që ‘dakord të gjitha, por dhe familja ka përgjegjësinë dhe rolin e vet në mirërritjen dhe edukimin e brezit të ri’, por e thënë ashtu, ishte gabim.

Por preferoj ndjesën publike të tij dhe shpjegimet e dhëna prej tij dhe duke e njohur prej punës dhe duke vlerësuar integritetin, moralin të pavënë në diskutim prej askujt, ku është vënë në diskutim morali dhe integriteti i kujtdo qoftë dhe për profesionalizmin, çështja për mua është e mbyllur.

Ata që predikojnë më shumë moral dhe më shumë ligjësi morale në këtë vend, kam fatin t’i njoh, siç kam fatin të njoh edhe drejtorin, midis të dyve unë zgjedh drejtorin, më vjen keq. Nëse do ta transmetoni dhe këtë, mos e nxirrni nga konteksti dhe këtë pjesën time, se është problem i madh kjo punë duhen thënë gjërat nga fillimi deri në fund jo në gjysmë të fjalisë”. /tvklan.al



Të ngjashme