Anëtarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Gjeorgjina Kuli, ka folur sot rreth situatës së Covid në Shqipëri. Kuli ka treguar nëse do të ketë një mbledhje të Komitetit Teknik së afërmi apo jo.

Mjekja u shpreh se mbledhjet organizohen në varësi të ecurisë së pandemisë dhe se masat merren sipas situatës dhe nuk janë të paracaktuara.

Duke folur për Milori Live në Klan News, Kuli tha se momentalisht nuk ka një skenar për mbyllje, por po përcillen vatrat e infeksioneve si shkollat dhe lokalet.

“Kemi disa pika që i ndjekim, shkollat, lokalet dhe në varësi të atyre që do të shohim në vende të ndryshme, qytete të ndryshme, mund të kemi mbyllje të pjesshme. Mbyllje e pjesshme mund të bëhet në bazë të incidencës së qyteteve apo zonave të caktuara. Momentalisht nuk kemi asnjë gjë të tillë në plan përderisa shifrat janë në të njejtat nivele.”

Duke folur për fëmijët dhe infektimet me Covid-19, Kuli tha se pavarësisht që Covid prek më pak dhe më lehtë fëmijët, nuk duhet neglizhuar si kategori, pasi që janë burim infeksioni.

“Fëmijët e moshës shkollore, adoleshentët transmetojnë njësoj infeksionin si një adult i prekur. Tek fëmijët është vënë re një veçori që shpesh herë japin manifestimet e infeksionit shumë  më vonë se sa janë prekur.”

Ndërsa për dyshimet mbi  mutacionet e Covid-19, anëtarja e Komitetit tha se deri tani nuk ka të dhëna konkrete që tregojnë variante të reja të Covid në vendin tonë.

Klan News