Opinion– Pushuesit që do të zgjidhnin qytetin e Durrësit në vitin 2003 do të shin të detyruar të pushonin mes rrënojave të ish-ndërtimeve pa leje, të cilat të krijonin idenë e një zone që sapo kishte dalë nga lufta. Pas prishjeve të shumta të ndërtimeve që kishin lulëzuar vend e pa vend në plazhin e Durrësit sipas qeverisë mesi i muajit qershor në atë kohë do ta gjente zonën gati për të pritur plazhistët. Por kjo gjë jo vetëm që nuk ndodhi, por heqja e mbeturinave inerte kishte nisur pikërisht në fund të muajit kur pretendohej se Durrësi do të ishte gati për turistët. E pikërisht kjo ishte edhe tema e emisionit “Opinion” zhvilluar më datë 27 Qershor 2003. Sipas drejtuesit Blendi Fevziu, emisioni ishte planifikuar të zhvillohej me praninë e ministrit të Turizmit në atë kohë Besnik Dervishi, me ish-ministrin Edmond Spaho, ministrin e Ekonomisë në atë kohë Arben Malaj dhe ish-ministrin të Financave Genc Ruli. Por Besnik Dervishi kishte refuzuar të vinte në emision në momentin e fundit, duke bërë të pamundur realizimin e tij në formën e një diskutimi.

“Ishte llogaritur që Shqipëria do të ishte shumë e përgatitur për sezonin turistik, por reagimet e të gjitha mediave deklaronin se Shqipëria nuk kishte bërë atë që duhej të bënte për turizmin. Të gjitha gërmadhat që shfaqëm në pamjet filmike vazhdojnë të mbeten në plazhin e Durrësit përgjatë gjithë bregdetit. Nuk është bërë asnjë punë nga Ministria e Turizmit për heqjen e tyre. Ndërkohë që Mali i Zi kishte çelur sezonin që në muajin Mars, në Shqipëri vetëm në mes të Qershorit u bë një fushatë promovuese për kapacitetin më të madh turistik të vendit. Mungesa e ujit dhe energjisë elektrike e kanë bërë sezonin turistik të duket sikur jemi ende në mes të dimrit. Ndihem shumë i fyer që një kategori drejtuesish apo ministrash të shtetit shqiptar, të cilët nuk kanë përgjegjësi politike nuk përgjigjen para askujt dhe arrijnë në një situatë të tillë që nëpërkëmbin gatishmërinë e 3 milionë shqiptarëve. Më vjen turp që ndodhem në një situatë të tillë dhe akoma më turp që jam qytetar i këtij vendi dhe drejtohem nga një ministër i tillë”, tha Fevziu. / tvklan.al