Lajme Arkiva 2003

Në aeroportin e Rinasit janë shtuar masat e sigurisë së emergjencës ndaj sindromit të rëndë akut respirator që ka përfshirë Azinë Juglindore, pas alarmit të dhënë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë mbi kontrollin që duhet të përfshijnë pasagjerët në të gjitha aeroportet ndërkombëtare, mjekët në qendrën shëndetësore të aeroportit të Rinasit janë vënë në lëvizje. Janë kontaktuar të gjitha linjat e fluturimit si dhe pasagjerët që kanë shkelur tokën shqiptare në mënyrë që rasti më i parë i dyshuar si i infektuar me sindromin akut, të përcillet më pas në spitalin infektiv të kryeqytetit.

Mjeku i aeroportit të Rinasit Robert Hasanaj për Tv Klan pohon.

Robert Hasanaj: Janë shtuar masat e kërkesave, është kontaktuar me ekuipazhet e avionëve që vijnë në Shqipëri, është kontaktuar me kapitet është kontaktuar me stjuardesat.

Gazetarja: Sot janë kontaktuar të gjithë pasagjerët?

Robert Hasanaj: Janë kontrolluar të gjithë pasagjerët janë marrë kontakte me të gjithë avionët që kanë mbërritur në Shqipëri dhe po shikohet në të gjitha  aspektet, puna është në vazhdim. Ka filluar dhe nuk dihet se sa do të vazhdojë ky si sindrom.

Masat janë marrë vetëm një ditë pasi Tv klan evidentoi se aeroporti i vetëm ndërkombëtar në Shqipëri ishte krejt i pambrojtur ndaj rrezikut eventual që mund të shkaktohet nga sindromi i virusit akut respirator nëpërmjet transmetimit të pasagjerëve në linjat ajrore.

Lidhur me situatën e emergjencës së krijuar në aeroport është shprehur edhe ministri i shëndetësisë Petrit Vasili:

“Të gjithë personat do të kontrollohen nga shërbimi shëndetësor i aeroportit do të verifikohet gjendja e tyre shëndetësore dhe të gjithë ata që do të shfaqin shenja të përafërta të sëmundjes sipas shenjave të përshkruara në udhëzimin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë do të transportohet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Do të izolohen në aeroportin Rinasit. Do të transportohen me mjetet tona të shërbimit shëndetësor drejtpërsëdrejti me spitalin infektiv të Tiranës, do të sqarohet gjendja e tyre shëndetësore dhe vetëm pasi të ketë konfirmime të plota për gjendjen e tyre shëndetësore ata do të shkojnë në shtëpi”.

Sindromi akut respirator ende nuk është zbuluar se nga e ka prejardhjen. Ai përhapet vetëm pas kontaktit të ngushtë me të infektuarit nëpërmjet sekrecioneve duke shkaktuar anomali të rënda në sistemin e frymëmarrjes./tvklan.al