Kryediplomati Gerapetritis flet për shkelje të traktateve evropiane

Kryediplomati grek George Gerapetritis para vendimit të gjykatës speciale ndaj kryetarit të zgjedhur të Himarës. Fredi Belerit tha se fatkeqësisht deri tani nuk ka parë reagimin e duhur nga pala shqiptare lidhur me një gjykim të drejtë në këtë rast.

“Për rastin e kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, Greqia ka mbajtur deri tani një qëndrim jashtëzakonisht produktiv dhe të dobishëm. Ne asnjëherë nuk kemi ushtruar presion mbi vendimet e gjykatave shqiptare. Ne kemi kërkuar që të ketë një gjykim të drejtë dhe që Beleri kryetari i zgjedhur i Himarës të betohej dhe të merrte detyrën. Ky ishte minimumi që mund të kërkonim në këto rrethana. Na duhet që të themi se fatkeqësisht nuk kemi parë reagimin e duhur nga pala shqiptare.”

Gerapetritis është i befasuar që Jorgo Goro vijon detyrën edhe pas opinionit të Gjykatës së Posaçme.

“Eksizton tashmë një vendim i Gjykatës së Posaçme shqiptare që kërkon largimin e menjëherëshëm nga detyra të kryetarit të deritanishëm të bashkisë së Himarës Jorgo Goro. Fatkeqësisht ky vendim nuk u zbatua dhe ne po e shohim veten në një paradoks politik dhe historik njëkohësisht. Kandidati i mazhorancës socialiste që humbi në zgjedhjet e 14 majit të vitit të kaluar është ende kryebashkiak ndërkohë që Fredi Beleri, kryetari i zgjedhur i Himarës, mbahet në burg. Kjo situatë ngre një çështje të sundimit të ligjit.”

I pyetur nëse Greqia do të vijojë me ushtrimin e vetos ndaj Shqipërisë Gerapetritis tha: Greqia po i mban gjithmonë të hapura të gjitha opsionet. Vetoja nuk është qëllim në vetvete. Nuk është për të ushtruar asnjë presion në asnjë drejtim. Është në mënyrë që ata të kuptojmë se çfarë do të thotë respektim i traktateve acquis evropiane. Këto traktate imponojnë detyrime shumë specifike duke kërkuar respektimin e shtetit ligjor, të së drejtës ndërkombtare, të drejtave të pakicave kombëtare dhe të drejtave themelore të njeriut. Çdo shtet anëtar i BE-se ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për t’i ngritur këto çështje brenda Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian. Pra në këtë rast kemi të bëjmë qartësisht me një çështje evropiane dhe jo dypalëshe.

Vetë kryeministri Rama më 21 Dhjetor të vitit 2023 duke iu referuar vendimit të Gjykatës së Posaçme për të mos pranuar kërkesën e Fredi Belerit për t’u betuar si kryebashkiak, tha se zgjidhja e vetme e ngërçit të krijuar është që Jorgo Goro, të mos qëndrojë më në detyrë për shkak se nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar, në mungesë të fituesit.

Klan News