Akademia do të marrë statusin e veçantë si Institucion i Arsimit të Lartë, në të cilin do të arsimohen dhe trajnohen të gjithë personat që do të punësohen në strukturat e sigurisë.

Ky është qëllimi i reformimit të Akademisë së Sigurisë, i diskutuar në një tryezë me zyrtarët më të lartë të Ministrisë së Brendshme, të Arsimit, Drejtësisë, si dhe deputetë, pedagogë, përfaqësues të Policisë së Shtetit.

Një paketë ligjore e posaçme pritet të hartohet nga qeveria në lidhje më këtë qëllim. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj do të investohet jo vetëm në infrastrukturë, por do punohet për afrimin e pedagogëve më të mirë dhe për përmirësimin e programeve arsimore.

“Në kemi nevojë që këtu të kemi më të mirët, më të zotët dhe më të ndershmit që kemi në këtë fushë, përfshi edhe ata që ju quani trajner të trajnerëve që dëshironi të merrni për të trajnuar në Policinë e Shtetit. Këtu fillon dhe mbi këtë bazament ngrihet çdo lloj qasje dhe çdo lloj vizioni. Pres vetëm të shohë se cilat janë propozimet, qoftë për çështjen e pagave, qoftë për elementë të tjerë, që ligjet i lejojnë apo që ne mund t’i përshtatim për të thithur kapacitetet më të mira në fushën e kriminologjisë dhe drejtësisë penale, por edhe në fushën e sigurisë”, u shpreh ministri Xhafaj.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla tha se do të ndërmerren hapa konkretë për reformimin e mëtejshëm të Akademisë së Sigurisë, që përfshin edhe studimet master. Drejtori Bilbil Mema, pasi paraqiti vizionin për reformimin e Akademisë së Sigurisë, ndër të tjera deklaroi se objektiv i këtij sistemi arsimor do të jetë formimi i specialistëve për të gjithë agjencitë ligjzbatuese në vend. Ai shtoi se objektiv kryesor është përafrimi i standardeve arsimore, me ato europiane.

Tv Klan