Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Durrës në orët e para të mëngjesit të së premtes. Një 30-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti rrugor.

Siç shihet nga këto pamje të siguruara nga korrespondentja e Tv Klan në Durrës, Enkelejda Arapi, përplasja ka qenë aq e fortë saqë shtylla është futur në automjet në anën e shoferit.

Mësohet se i riu po udhëtonte në lagjen nr. 15 të qytetit bregdetar kur në orën 02:07 ka humbur kontrollin e mjetit “Golf” dhe është përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor.

Plagët kanë qenë fatale për 30-vjeçarin me iniciale A.B. Për nxjerrjen e trupit të pajetë u desh ndërhyrja e zjarrfikësve të cilët sharruan automjetin.

Një grup hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit. /tvklan.al