Humbin jetën babë e bir, plagosen dy të tjerë

Një fëmijë vetëm 3 vjeç dhe babai i tij humbën jetën gjatë një aksidenti rrugor në Rrugën e Kombit. Ngjarja ndodhi rreth 16:00 në aksin rrugor Milot-Rrëshen dhe në aksident u përfshinë një automjet tip “Benz” dhe një automjet tjetër tip “Opel”. Si pasojë e përplasjes së fortë, i mituri që udhëtonte në mjetin tip “Opel” ndërroi jetë në vend, ndërkohë që dy prindërit e tij Shkurt dhe Fabiola Prenga, përkatësisht 33 dhe 26 vjeç morën plagë të rënda dhe u dërguan në spital.

Por fatkeqësisht afro 2 orë pas aksidentit edhe babai i 3-vjeçarit nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe ndërroi jetë. Dëmtime të rënda morri edhe drejtuesi i makinës tjetër, 26-vjeçari Arlind Sulaj, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Siç shihet edhe nga pamjet, përplasja ka qenë shumë e fortë teksa makina tip Opel ku gjendej edhe fëmija është shkatërruar tërësisht. Ndërkohë që makina tjetër pas përplasjes është përfshirë nga flakët dhe është djegur plotësisht.

Në vendngjarje mbërriti edhe grupi hetimor, i cili po punon për sqarimin e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes, por nga hetimet paraprake dyshohet se shkak është bërë një parakalim i gabuar i mjetit Benz.

Tv Klan