Ismaili: Kontrollet e shtuara sollën ulje të fataliteteve, shoferët ende të papërgjegjshëm

Kontrollet e policisë rrugore për parandalimin e aksidenteve rrugore të nisura prej një muaji, që pas aksidentit tragjik në Vlorë ku humbën jetën 4 anëtarë të një familjeje, kanë ndikuar në uljen e numrit të ngjarjeve rrugore. Shefi i Sektorit për Sigurinë Rrugore, Skënder Ismaili thotë për Klan News se krahasuar me muajt e shkuar kemi më pak pasoja.

Gjatë kësaj periudhe, kemi 107 ngjarje rrugore, në të cilat 5 persona kanë humbur jetën, 9 janë plagosur dhe 132 kanë marrë dëmtime të lehta. Ka një trend uljeje të ngjarjeve rrugore si rezultat i shtimit të masave”.

Gjatë kontrolleve në harkun kohor të një muaji që korrespondon dhe me nisjen e masave për sezonin turistik janë dhënë 32 mijë gjoba, janë hequr 1306 patenta si dhe janë arrestuar 251 shoferë. Shefi i rrugores, Ismaili tregon se cilat janë shkeljet më të rënda nga drejtuesve të mjeteve.

Kemi arritur në konkluzionin që shpejtësia, parakalimet e gabuara, tërheqja e vëmendjes për shkak të përdorimit të telefonit janë faktorët kryesorë të këtyre ngjarjeve, ndaj dhe nga shërbimi i policisë është përqendruar vëmendja në këto shkelje”.

Krahas kontrolleve në rrugët interurbane për matjen e shpejtësisë së lejuar, shërbimet e policisë rrugore janë pozicionuar dhe në qendrat e banuara, ku shpejtësia e lejuar është 30-40km/h.

Gjatë ditëve të fundit punonjësit e policisë kanë konstatuar dhjetëra shoferë duke tejkaluar shpejtësinë në qendrat e banuara. Të dhënat e policisë së shtetit, tregojnë se ndryshe nga vitet e shkuara, ka një tendencë në rritje të përdoruesve të mjeteve që konsumojnë pije alkoolike dhe lëndë narkotike.

Ndëshkimet e policisë në një muaj

32.000 masa administrative

1306 leje drejtimi të tërhequra

251 shoferë të arrestuar