Akt-ekspertimi që provon falsifikimin e vendimit nga gjyqtarja Pajtime Fetahu

Akt-ekspertimi që provon falsifikimin e vendimit nga gjyqtarja Pajtime Fetahu

21:26 06/11/2019

Gjyqtarja u kap me “presh” në duar, por vazhdon të jetë në detyrë…

Rreth 1 vit më parë, një zonjë nga fshati Gjinar në Elbasan denoncoi në emisionin “STOP” në TV Klan ekzistencën e dy vendimeve identike me sipërfaqe të ndryshme për pronën e saj. Sipas Dafine Pecit, gjyqtarja Pajtime Fetahu ka bërë dy vendime gjykate, të njëjtën ditë, me të njëjtin numër dhe hektarët kanë ndryshuar. Në përmbajtjet e dy vendimeve ndryshonte vetëm firma e sekretareve, ndërkohë që numri i dynymëve është rritur në mënyrë fiktive. Në të parin ishin 312.4 dynym, ndërsa në të dyti 383.4 dynym.

“STOP” zbuloi se gjyqtarja e Elbasanit, Pajtime Fetahu, ka nxjerrë në vitin 2003 vendimin e parë, i cili ekziston edhe në regjistrin e dispozitivëve në Gjykatën e Elbasanit me 312.4 dynym. Ky fakt përforcohet duke iu referuar edhe vulës së këtij vendimi. Ajo mban të stampuar mbishkrimin Gjykata Elbasan sepse nga 2003-shi deri në 2010-ën Gjykata e Gramshit dhe e Librazhdit nuk ishin shkrirë dhe nuk ishin pjesë e asaj të Elbasanit. Vendimi i dytë është ai i falsifikuar nga gjyqtarja Pajtime Fetahu sepse vula që mban vendimi ka të stampuar vulën me mbishkrimin Gjykata e Rrethit Elbasan, çka do të thotë që vendimi është falsifikuar pas 2010-s, kohë kur gjykatat e Gramshit dhe Librazhdit janë shkrirë me të Elbasanit.

Por sa vite burg rëndojnë për akuzën e falsifikimit të dokumenteve nga një gjyqtar?

“Neni 186. Falsifikimi i dokumenteve dënohet nga 1 deri në 7 vite burg. Neni 248. Shpërdorimi i detyrës dënohet deri në 7 vite burg. E njëjta vepër penale nëse ka sjellë pasoja të rënda dënohet deri në 15 vite burg. Neni 287. Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale dënohet deri në 15 vite burg. Neni 319/ç. Korrupsion pasiv i gjyqtarëve dënohet nga 3 deri në 10 vite burg”.

Pas denoncimit të “Stop”, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi një hetim për këtë rast. Në një akt-ekspertimi, bërë nga Krimet e Rënda, konstatohet se vendimi i falsifikuar mban firmën e gjyqtares Pajtime Fetahu. Ndërsa firma e kryesekretarit është falsifikuar.

“Nënshkrimi (firma) i ndodhur poshtë shtypshkrimit emër mbiemër Pajtime Fetahu në rubrikën gjyqtari, në dokumentin vendimi 1051 është objekt ekspertimi. Është nënshkruar (firmosur) nga shtetasja Pajtime Fetahu, krahasuar me modelet e tjera të krahasimit të lira të sjella në emër të saj”, thuhet në pikën 4 të akt-ekspertimit nga sektori i ekzaminimeve grafike dhe dokumenteve në Institutin e Policisë Shkencore.

Por si për çudi, edhe pse u kap me “presh” në duar Pajtime Fetahu vazhdon punën si gjyqtare në Elbasan.

Para një viti, qytetarja Dafina Peci deklaronte se kishte shpenzuar miliona Lekë dhe nuk i është gjetur asnjëherë e drejta. Ndërkohë, këtë të mërkurë drejtuesi i emisionit Saimir Kodra theksoi se edhe pse është e vërtetuar se Pajtime Fetahu ka falsifikuar dokumentin vazhdon që të qëndrojë në detyrë. Ai i bëri thirrje KLGJ-së, por edhe Prokurorisë së Përgjithshme dhe asaj të Krimeve të Rënda që të reagojnë për këtë rast.

“Sot kam një akt-ekspertimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda që pranojnë shkencërisht që vendimi falsifikuar pra vendimi i hedhur për së dyti që do të marrë pronari i saj është i Pajtime Fetahut. Ky veprim i tmerrshëm që është bërë pas 2010 rëndon edhe sot e kësaj dite sepse është akoma në Hipotekë. Pajtime Fetahu për ju shokë të KLGJ-së, për ju prokurorë, e kuptoni se ç’ndodh me një gjyqtare sot që ushtron aktivitetin e saj me një mijë e një abuzime se nuk dua t’i marr në detaje se duket sikur kam qasje personale me të, vazhdon të jetë në punë me një dokument zyrtar që e dini të gjithë se ka falsifikuar një vendim. Nuk mund të thuhet sot që është parashkruar. Ajo sot e kësaj dite ka një veprim kriminal që vazhdon të jetë aktiv çdo ditë”, tha Kodra. /tvklan.al





Grupi
LAJMET

Të ngjashme




Grupi