BDI po mban ende si opsion koalicionimin me VMRO DPMNE, kurse nga partia e Nikolla Gruevskit, thonë se edhe pse nuk ka bisedime, kontakte mes zyrtareve të dy partive ende po vazhdojnë.

“Të gjitha opsionet mbeten të mundshme, varësisht prej zhvillimeve. Nuk varet gjithçka prej nesh”, tha zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani

Anëtari kryesisë së VMRO DPMNE-së, Antonio Milloshoski, për TV21 thotë që partia e tij nuk e ka problem që ti rinis sërish bisedimet me BDI.

“Ne jemi parti politike e hapur

, kemi pasur bashkëpunim të mirë tradicional me BDI-në si opsion politik. Nëse ka interes nga ana e tyre nuk do t’ju ikim temave të këtij lloji”, tha Milloshoski.

Kurse as zëdhënësi I VMRO DPMNE-së, Ilija Dimovski nuk mohon se ka ende kontakte mes partisë së tij dhe BDI-së. “Nuk ka bisedime, por ka komunikim. Por ne kemi komunikim me shumë parti tjera, përveç se me BDI-në”, tha ai.

Kryetari i LR PDSH-së, Ziadin Sela, thotë se partia e tij do të qëndroj pas deklaratës së përbashkët. Ai thotë se nuk ka asgjë kundër asnjë partie maqedonase, por ka kundër kryesisë së VMRO DPMNE-së.

“Nuk kam kundër asnjë subjekti politik në Maqedoni, edhe nga blloku politik maqedonas. Por jam shumë kundër krerëve e një subjekti politik që dalin në fushat dhe kërkojnë vota kundër shqiptarëve dhe nuk ka asnjë kuptim që ne pastaj tu qojmë shqiptarët atyre krerëve politik”, tha Sela.

Sela tha se koalicion me VMRO DPMNE-në është i mundshëm vetëm pasi të reformohet kjo parti, dhe pasi të kërkojnë falje publike për deklaratat publike kundër shqiptarëve. (TV21)