Zëvendëson Albana Ficon, e cila mbajti këtë detyrë për tre vite

Albana Fico largohet nga drejtimi i qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza” post të cilin e mbantë prej tre vitesh. Në vend të sajë ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu ka emëruar Alma Canin.

Alma Cani mban pozitën e nëndrejtores tek spitali universitar “Shefqet Ndroqi” dhe Shefe e Shërbimit të Anestezisë-Reanimacionit.

Zyrtarisht nga ministria e Shëndetësisë nuk është pranuar nëse këto ndryshime në qendrën më të madhe spitalore vijnë për shkak të zjarrit që ra mbi një muaj më parë në urgjencën e re në QSUT.

Zjarr i cili solli kolaps të shërbimit të urgjencës për një kohë të gjatë dhe tashmë ky shërbim ofrohet i shpërndarë mes spitalit të trumës dhe në sanatorium.

Albana Fico mori detyrën në Dhjetor të vitit 2021, ku zëvendësoi Enkelejd Jotin, ndërkohë që më herët ajo drejtonte Institutin e Shëndetit Publik, veçanërisht në dy vitet më të vështira të pandemisë se koronavirusit.

Por edhe zëvëndësuesja e saj, Alma Cani ka qenë në vijën e parë gjatë luftës së koronavirusit, pasi Sanatoriumi për një kohë të gjatë shërbeu si Spital Covid.

Klan News