Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dënojnë sulmet e lëshuara së fundmi kundër prokurorëve të posaçëm dhe të kreut të SPAK, Altin Dumani.

Ambasada e SHBA me ane të një reagimi publik mbështet plotësisht deklaratën e mbajtur nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë sa i përket sulmeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta kundër SPAK.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë në krah të shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që mbështesin institucionet e reja të drejtësisë dhe rolin kyç që ato luajnë në demokracinë e Shqipërisë. SHBA qëndron në krah të profesionistëve të drejtësisë që respektojnë ligjin dhe do të mbështesë të gjithë ata që kërkojnë t’i japin fund pandëshkueshmërisë”.

Edhe për delegacionin e Bashkimit Evropian këto sulme janë të papranueshme.

“Sulmet apo intimidimet kundër anëtarëve të gjyqësorit nuk kanë vend në demokraci. Ne mbështesim dënimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë të deklaratave të fundit të papranueshme publike të drejtuara kundër SPAK. Bashkimi Evropian qëndron pranë magjistratëve dhe profesionistëve shqiptarë të angazhuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

Ambasada britanike në Tiranë me anë të një reagimi, veç mbështetjes së punës së SPAK, shprehet se Britania e Madhe do ndihmojë në ngritjen e kapaciteteve që SPAK të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ambasadori britanik, Alastair King-Smith përsëriti mbështetjen e fortë të Mbretërisë së Bashkuar për Prokurorinë e Posaçme të Shqipërisë, SPAK dhe përpjekjet saj jetike për përmirësimin e llogaridhënies dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në interes të të gjithë qytetarëve shqiptarë”.

Sulmet ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani erdhën nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili gjatë emisionit Opinion e akuzoi se kishte takuar me ish-drejtuesin e dënuar të FBI-së, Charles McGonigal.

Por kreu i SPAK, Altin Dumani reagoi menjeherë duke i hedhur poshtë këto pretendime, duke i cilësuar si të pavërtetë, si dhe në vazhdën e akuzave të pabaza në adresë të institucionit që ai drejton.

Tv Klan