Dollani: Krimi i organizuar më ka kërcënuar familjen

Gjyqtarja Saida Dollani është përzgjedhur nga ambasada amerikane si shembulli i gruas së jashtëzakonshme që ndryshojnë botën dhe na frymëzojnë për të treguar historinë e saj në kuadër të Muajit të Historisë së Gruas.

Ajo mban postin e zëvendëskryetares së Apelit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kompetencat e kryetares së kësaj gjykate.

Në moshën 24-vjeçare, Saida Dollani vendosi të bëhej gjyqtare për të kontribuar në krijimin e shtetit të së drejtës pas diktaturës. Ajo ka rrëfyer për pengesat dhe paragjykimet që ka hasur.

“U paragjykova për vendimin që mora të ndjek karrierën e gjyqtares në të njëjtën kohë që isha nënë e dy fëmijëve, 6 dhe 7 vjeçe e gjysmë”, tregon ajo në videohistorinë e postuar në faqen e ambasadës.

Vështirësia e dytë ishte të luftojë me paragjykimin se një grua gjyqtare nuk do të ishte e aftë dhe e fortë, aq sa duhet të gjykonte çështje penale.”

Për këtë, iu desh të përballej me kërcënime të mëdha nga krimi i organizuar.

“Në një karrierë të gjatë si gjyqtare pa asnjë kompromis me padrejtësinë dhe të paligjshmen kam hasur si trysni, ashtu edhe kërcënime. Pjesë e kërcënimeve të krimit të organizuar ka qenë edhe familja ime. Bashkëshorti ishte ai që e përjetoi drejtpërdrejt këtë kërcënim.”

Në vitin 2019 bashkëshorti i gjyqtares Dollani u kërcënua me jetë teksa ajo ishte pjesë e trupit gjykuese që do dënonte Emiljano Shullazin e grupin e tij. Kur po dilte nga një lokal atij i vendosën pistoletën në gojë duke i kujtuar që kishte edhe dy fëmijë.

“Pati shumë shqetësime nga puna ime, por ai asnjëherë nuk u bë shqetësim për mua. Gjithmonë më thoshte, ke marrë përsipër të jesh gjyqtare, bëje detyrën tënde sa më mirë, nuk e bën vetëm për fëmijët e tu, e bën për fëmijët e të gjithëve.”

Gjyqtarja Dollani e mbyll videomesazhin e saj me një apel për të gjitha gratë e vajzat që të mos nënvleftësojnë potencialin që kanë dhe të ndjekin ëndërrat e tyre.

Klan News