Do godasë “të paprekshmit” e Shqipërisë

Mbështetësja kryesore e reformës në drejtësi, Ambasada Amerikane në Tiranë vjen me një paralajmërim të fortë për zyrtarët dhe ish zyrtarët e lartë të prekur nga korrupsioni.

Përmes një video ilustruese në faqen zyrtare të Ambasadës tregohet mënyra sesi do të funksionojë struktura e posaçme antikorrupsion e njohur si SPAK që sipas selisë diplomatike amerikane do të jetë një organ i pavarur, jo i politizuar, i cili do të hetojë dhe ndjekë penalisht “të paprekshmit” e Shqipërisë. Kështu i quan ajo zyrtarët e tanishëm dhe ish zyrtarë të lartë.

Në sistemin e  vjetër gjyqësor thuhet në postim zyrtarët e nivelit të lartë të korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar ishin të “paprekshëm” sepse gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar ose të kërcënuar nuk i nxirrnin përpara drejtësisë dhe për këtë çmimin e paguante gjithë vendi.

Por kjo situatë sipas Ambasadës së SHBA në Tiranë do të marrë fund me ngritjen e SPAKU-t anëtarët e të cilit do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe jo nga politikanët apo zyrtarët e korruptuar. Aktualisht KLP ka përfunduar fazën e listimit për të 15 kandidatët për SPAK dhe pret që të mbyllet procesi i Vettingut në të dy shkallët e tij.

Tv Klan