Analistët komentojnë rikthimin e Pandeli Majkos si kryeministër, 2002 (Video-Arkiv) – TV KLAN

Analistët komentojnë rikthimin e Pandeli Majkos si kryeministër, 2002 (Video-Arkiv)

Dosier-Rikthimi i Pandeli Majkos në krye të qeverisë shqiptare në vitin 2002 në postin e Kryeministrit ishte tema kryesore e aktualitetit politik në vend në atë periudhë. Dhe për të diskutuar lidhur me këtë temë, emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu në Tv Klan, realizuar më datë 07 Shkurt 2002, kishte të ftuar në studio analistët Andi Bejtja, Artur Zheji dhe Mustafa Nano.

“Kjo është një situatë që në mazhorancat variabël, të cilat tashmë janë pagëzuar në një realitet jo më fiktiv dhe verbal mund të krijojë situata më interesante. Të paktën konflikti i përgjithshëm i drejtuesve të Partisë Socialiste nuk mund të pretendojë se mund të jetë gjithë Kuvendi i Shqipërisë. Përderisa Majko nuk është votuar në Parlament, ai nuk është kryeministër i Shqipërisë. Por nuk besoj se mbështetësit e kryetarit socialist Fatos Nano do të bllokojnë kandidaturën e Majkos”, tha Zheji.

“Unë nuk mendoj se ne duhet të presim që grupi i Nanos t’i bëjë opozitë qeverisë Majko. Nuk mendoj se do të humbasë Majko në këto rrethana që ndodhet politika shqiptare, por nëse kjo opozitë do të jetë në parlament mendoj se është vetëvrasje e Partisë Socialiste. Nuk e di se çfarë mund të fitojë”, tha Nano.

“Zyrtarisht ne nuk duhet të nxitohemi, por lavdia dhe faji janë individuale në kolektiv. Majko gjithmonë nuk ka qenë konsensual dhe këtë e ka thënë edhe vetë, ka qenë palë. Por po të vësh re ai ka qenë palë, por sipër palëve, këtë pozitë ai e ruajti edhe gjatë konfliktit Nano-Meta. Ai ka mundësi të krijojë qeveri sipër, duke i lënë palët të ndeshen me njëra-tjetrën poshtë. Ky mendoj se është favor i Majkos, i cili mund të mos jetë konsensual në Partinë Socialiste, por ka një opinion shumë të mirë në publikun shqiptar dhe ka vota edhe nga opozita”, tha Bejtja.

*Ky material është pjesë përbërëse e Arkivës së Televizionit Klan për vitet 1998-2012

Kategori
Lajme nga EmisionetOpinion - DosierTe funditTë gjithaVideo
0 Komente

Përgjigju

*

*