Më 25 Korrik, Ansi Agolli do të rikthehet në Shqipëri, por si kundërshtar i Kukësit në përballjen e turit të dytë kualifikues të ekipit të tij Qarabag me verilindorët. Ndeshja që do të luhet në Shkodër e ka emocionuar që tani ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare.

“Më në fund pas gati 9 viteve që luajmë në turet eliminatore të kupave të Europës, më në fund përballë kemi një skuadër shqiptare mjaft e respektueshme dhe ndjesia ime për këtë përballje është mjaft emocionuese.”

Në kryeqytetin e Azerbajxhanit, Kukësin e njohin prej vitesh. Ish-kampionëve u paraprin reputacioni i tyre.

“Pak a shumë këta e njohin si skuadër ekipin e Kukësit. Njohin edhe eksperiencat e mira që ka kaluar kjo skuadër sidomos para 3 viteve kur shkuan deri në play-off duke kaluar tre ture eliminatore. Është një skuadër që ka imponuar respekt stafit teknik.”

Respektin Kukësit nuk ia mohojnë, por skuadra e Agollit do të përkojë fitoren që në ndeshjen e parë.

“Çdo skuadër, kur futet në fushë, futet për të kaluar në raundin tjetër. Është ligj i futbollit fitorja. Ndeshjet eliminatore, sipas eksperiencës time, janë specifike dhe në këto minuta duhet të jesh i përqëndruar të gabosh sa më pak. Skuadra që gabon më pak, kalon në raundin tjetër. Mendojmë se fokusi i momentit është që tek përballja e parë që është në Shkodër, pastaj për kualifikimin le të shohim më tej.”

Ansi Agolli luan që prej 2010 në Azerbajxhan me Qarabag. Skuadra e tij u kualifikua në raundin e dytë pasi mundi Olimpian e Sllovenisë.

Tv Klan