Klubet Saudite synojnë që të afrojnë në kampionat emra si Lukaku, Immobile dhe Sanchez

Pas bumit të verës së kaluar, ku Arabia Saudite shpenzoi 865 milionë Euro për transferime ndërkombëtare dhe një merkatoje dimërore pa investime të mëdha, Liga Profesioniste Saudite po përgatitet për një tjetër shpenzim të madh.

Kjo pasi kushtet janë krijuar duke rritur numrin e të huajve që çdo klub mund të ketë në skuadrën e tij nga tetë në dhjetë për sezonin 2024-2025.

Në mbretëri po përgatiten për një tjetër “shopping” luksi në Kontinentin e Vjetër, raporton gazzetadellosport.

Kapital të konsiderueshëm kanë klubet e kontrolluara nga fondi Sovran saudit Al Hilal, Al Nassr, Al Ittihad dhe Al Ahli.

Nga Serie A pëlqehet Romelu Lukaku, i cili verën e kaluar i kishte thënë jo disa herë Al Hilalit, duke refuzuar 50 mln Euro.

Por në janar, në një intervistë, belgu e quajti Ligën Pro Saudite si “një nga kampionatet më të mira në botë”, duke dhënë një mesazh të vërtetë dashurie.

Arabia Saudite gjithashtu mund të nënshkruajë me Ciro Immobile, për të cilin ka pasur interes në janar.

Rroga e tij prej katër milionë neto plus bonuse, është e vështirë që të plotësohet nga Lacio, por jo nga sauditët.

Një tjetër emër që pëlqehet është lojtari zikaltër Alexis Sanchez, të cilit i përfundon kontrata në fund të sezonit.

Klan News