Atletja Jasmine Camacho-Quinn doli e para në garën e 100 metrave me pengesa

Jasmine Camacho-Quinn fitoi medaljen e artë në garën 100 metra me pengesa për femra në olimpiadën e Tokios. Një sukses i madh për atleten, e cila bëhet portorikania e dytë që fiton medalje të artë në një olimpiadë.

Lojtarja e tenisit Monika Puig i dha Porto Rikos medaljen e parë të artë në vitin 2016.

Camacho-Quinn e përfundoi garën për 12 sekonda e 37 të qindat, ndërsa në vend të dytë doli Keni Harrison dhe Megan Tapper në vend të tretë.

Ajo bëhet portorikania e parë që i jep atdheut të saj një medalje ari në atletikë. Në gjysmëfinale 24-vjeçarja realizoi një rekord olimpik, ku vendosi kohën 12 sekonda e 26 të qindat.     

Camacho-Quinn u tregua perfekte në garë, ku e fitoi edhe duelin me amerikanen Harrison, mbajtësen e rekordit botëror, me të cilën kishte humbur në herët e tjera që kishin sfiduar njëra-tjetrën.

Klan News