Bushati1Në kushtet kur Policia e Shtetit është bërë objekt sulmi nga media dhe kur opozita ka ngritur një komision hetimor, Ditmir Bushati dhe Sajmir Tahiri, dy funksionarë kyç të qeverisë shqiptarë, ku i pari, pse jo dhe në audiencë ndërkombëtare, i mban krahun të dytit, duke i veshur një meritë që nuk e ka.

Shefi i diplomacisë shqiptar ose nuk është i informuar, ose kërkon të spekulojë para opinionit publik dhe homologëve të tij, kur thotë se zbulimi i personave që rekrutonin shqiptarë për t’i çuar në konfliktin sirian është meritë e Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit vetëm sa ekzekutoi urdhërarrestet që i ishin bërë gati nga të tjerët. Meritën e zbulimit për të cilin flet Bushati e kanë Shërbimi Informativ i Shtetit dhe Prokuroria.

Nga burime zyrtare mësohet se Shërbimi Informativ, prej dy vitesh kishte nën vëzhgim celulën që tashmë u arrestua.

Nga shkurti i 2012, SHISH ka punuar në drejtimin e parandalimit të dërgimit të shtetasve shqiptarë drejt Sirisë, duke përdorur mënyra të ndryshme, si arsyetim. Nga këto veprime, përveçse ka evidentuar të gjithë personat që rekrutonin grumbullimin, mënyrën e dërgimit, si dhe emrat e gjithë të ikurve në luftë nga Shqipëria, ka ndikuar duke mos lejuar të hyjnë 10 persona, në Rinas e vende të tjera deri edhe në Turqi.

Ndërkohë në dhjetor të vitit të kaluar, me ndihmën e bashkëpunëtorëve amerikanë, është iniciuar nisja e një procedimi penal për çështjen, duke regjistruar hetimin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Kreu i saj, Eugen Beçi doli para medias ditën e arrestimit, teksa drejtori i Policisë, Artan Didi, i heshtur i qëndroi në krah.

Prokurorja e çështjes Elizabeta Imeraj me ndihmën e agjentëve të SHISH, të cilët rezultojnë të kenë qenë shumë efektivë, kanë arritur të provojnë implikimin e 13 personave në kryerjen e veprave penale të terrorizmit.

Të gjitha veprimet hetimore, janë kryer nga agjentët e SHISH, por të ligjëruar nga drejtuesit e anti-terrorit të policisë. Ditën e arrestimit, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë i është dërguar vendimi i arrestit për t’i ekzekutuar arrestimet.