Policia italiane ka arrestuar një shqiptar të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet greke.

Ai është Alfred Arapi 42 vjeç nga Mirdita. Shqiptari është një nga personat e kërkuar për sasinë e madhe prej 1.3 ton kokainë të kapur në Greqi më 25 Janar të këtij viti.

Arapi u arrestua në veri të Italisë teksa po udhëtonte me një makinë tip BMW me targa italiane, së bashku me dy persona të tjerë.

Në momentin e arrestimit, 42-vjeçari nuk ka bërë rezistencë, raportojnë mediat italiane. Ai do të ekstradohet në Greqi për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij.

Alfred Arapi akuzohet si pjesë e grupit të trafikut të kokainës që u sekuestrua në Agrinjo. Kokaina në Greqi kishte hyrë përmes portit privat të Katakolos dhe më pas ishte fshehur në një kompleks dhomash plazhi në fshatin Astakos. Sasia rekord ishte nisur nga Republika Domenikane me destinacion Greqinë dhe në vazhdim do të shpërndahej në Shqipëri dhe Spanjë.

Para 1 muaji, kur dhe u finalizua operacioni policor në shtetin grek, u arrestuan 6 shqiptarë. Kreu i kësaj organizate ishte Aleksandër Pema, i cili është arrestuar së bashku me Arbër Përdeda, Ergon Tusi, Erlin Zotaj, Lek Doda dhe Maksim Preçi. /tvklan.al