Fran Tuci akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre

Ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci, u arrestua nga Policia me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”. Për të njëjtën akuzë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie” u vendos edhe ish-administrator i Njësisë Administrative Iballë, Ndoc Marku.

Ndërsa për veprën penale “Shkatërrim i pronës” nën hetim me masë detyrim për t’u paraqitur është vënë shtetasi Durim Markgjekaj, administrator i një subjekti tregtar privat. Hetimet për rastin nisën nga Prokuroria e Pukës, e cila më pas ka dërguar për kompetencë çështjen në SPAK.

Struktura e Posaçme tha në një njoftim zyrtar, se Fran Tuci në bashkëpunim me ish-administratorin e njësisë Iballë, në kundërshtim me ligjin, kanë lejuar hapjen e një segmenti të ri rrugor, i cili ka cenuar një sipërfaqe të madhe të fondit pyjor në pronësi të Bashkisë.

Punimet e kryera nga administrator i një subjekti privat gjithashtu ka dëmtuar rëndë terrenin që i përket këtij fondi pyjor. Dëmi i përllogaritur nga IKMT Shkodër, pas inspektimit të kryer në terren, kap vlerën e 234,007,500 lekë.

Tv Klan