Pas rreth 2 vitesh arrati, prangoset në Gjermani Vladimir Kola, i akuzuar si autor i vrasjes së Briken Sanajt, ngjarje e ndodhur në 30 Tetor të 2022 në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë.

Arrestimi i 41-vjeçarit u krye në qytetin e Gelsenkirchen, aty ku u lokalizua nga autoritetet falë shkëmbimit të informacionit me Interpol Tirana.

Për ngjarjen që është vënë në akuzë Vladimir Kola, Policia e Tiranës ka vënë në pranga një shtetas kosovar dhe ka shpallur në kërkim një tjetër, pasi dyshohet se siguruan makinën e përdorur në vrasjen e Briken Sanajt.

Shkak i vrasjes së 39-vjeçarit dyshohet të jetë bërë gjakmarrja, zanafilla e të cilës nis prej vitit 2012 në Lezhë kur familjari i Vladimirit u plagos rëndë nga i vëllai viktimës.

Për arrestimin e Vladimir Kolës në Gjermani reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili përgëzoi policinë për operacionin e kryer në bashkëpunim me autoritetet gjermane.

Me këto të fundit Interpol Tirana kanë nisur procedurat e ekstradimit të 41-vjeçarit në Shqipëri aty ku akuzohet për “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Tv Klan