Evenimenti masa të rrepta, të preferuarat nga bastet janë Franca, Italia, Malta

Artistët e Eurovizionit kanë dhënë provat e para për zërin në prag të gjysmëfinales së parë të konkursit, i cili do të mbahet me një audiencë të kufizuar për shkak të Covid-19, në qytetin port Roterdam të Holandës.

Më pas zërat e suksesshëm do të bashkohen me ata që do të dalin fitues nga gjysmëfinalja e së enjtes, në finalen e madhe të së Shtunës. Holanda mirëpret edicionin e 65-të të evenimentit, i cili tërheq një audiencë televizive prej rreth 200 milionë teleshikues anembanë botës, këtë fundjavë. Artisti që triumfoi në ngjarjen e 2019 ishte kantautori holandez Duncan Laurence me këngën “Arcade”. Ndërkohë që eventi i vitit 2020 u anulua për shkak të pandemisë.

Të preferuarat aktuale të basteve për evenimentin e madh të 2021 përfshijnë në konkurrim Francën, Italinë dhe Maltën. Të 39 vendet pjesëmarrëse dhe delegacionet e tyre janë testuar për Covid-19 para se të hyjnë në eveniment.

Roterdami po përgatitet për një version me audiencë të kufizuar që do të ndjekë spektaklin drejtpërdrejt, me rregulla të rrepta sigurie për shkak edhe të numrave të konsiderueshëm të të infektuarve me koronavirus në Holandë.

“Kur vendosëm t’i bashkonim të gjithë këtu në Roterdam, e dinim që pandemia do të vazhdonte fatkeqësisht. Ne po bëjmë gjithçka që mundemi për të minimizuar ndikimin e saj,” deklaroi për Reuters Ortdahl Martin, mbikëqyrësi ekzekutiv i Eurovizion. Gjatë fundjavës, anëtarët e delegacioneve nga Polonia dhe Islanda rezultuan të prekur me koronavirus. Teksa tashmë ndodhen në karantinë dhe organizatorët shpresojnë të dalin në kohë për gjysmëfinalen e tyre të enjten.

Klan News