Partia Demokracia Sociale ka zgjedhur një tjetër formë për të adresuar shqetësimin për atë që e cilëson klimë aspak pozitive për hartimin e kodit të ri zgjedhor.

Kryetari Paskal Milo i ka dërguar letër kreut të Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste duke i kërkuar garanci që zgjedhjet të jenë të lira e të ndershme.

Artur Duçkallari: “Nëpërmjet kësaj letre Partia Demokracia Sociale ka ritheksuar se nuk ka kërkuar dhe nuk kërkon dhurata politike, por vetëm kushte të ndershme për fushatën zgjedhore, procesin dhe numërimin e votave.”

Partia Demokracia Sociale propozon debate publike për reformën, e cila jo domosdoshmërish duhet të përfundojë brenda muajit Korrik.

LSI gjithashtu përforcon deklarimet kundër partive të mëdha, këtë herë duke përcjellë shqetësimin e deputetëve të parlamentit evropian.

Petrit Vasili: “Askush sot nuk do të tolerohet më që nëpërmjet komisionit parlamentar për hartimin e kodit zgjedhor dhe lojës dyshe të pamoralshme PD-PS të deformojnë thelbin e demokracisë dhe zgjedhjeve të lira si deri më tani sepse do të përballen qartë dhe pa ekuivok me qëndrimin e prerë të parlamentit evropian dhe Bashkimit Evropian”.

Kjo nuk është hera e parë që partitë e vogla akuzojnë Partinë Demokratike dhe atë socialiste për mungesë transparence në procesin për hartimin e kodit të ri zgjedhor./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi