Me një shumicë dërrmuese votash, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i dha dritë jeshile anëtarësimit të Kosovës në këtë organizëm.

131 deputetë votuan pro raportit të hartuar nga deputetja greke Dora Bakojanis që sugjeronte anëtarësimin e Kosovës. Ndërsa 29 deputetë ishin kundër dhe 11 të tjerë abstenuan.

Gjatë paraqitjes së raportit, ish-ministrja e Jashtme greke Bakojanis tha se Kosova i ka përmbushur kriteret e anëtarësimit  në Këshillin Evropës, duke ftuar deputetët që të votojnë pro.

“Që nga publikimi i raportit kam pasur kritika e sulme personale. Këto komente agresive janë lëshuar nga përfaqësues të shteteve anëtare që nuk e njohin Kosovën. Kundërshtimet e tyre nuk kanë bëjnë aspak me kriteret e anëtarësimit. Ata kundërshtojnë vetëm idenë e shtetit të Kosovës, por raporti nuk mban qëndrime sa i përket shtetësisë”.

Por sulmet ndaj saj nuk munguan as në Asamblenë e KiE. Deputetja serbe, Biljana Pantiç, kritikoi raportin duke e cilësuar Bakojanis si një person pa integritet dhe hipokrite.

Edhe deputetët e Malit të Zi dhe të Bosnje-Hercegovinës u shprehën kundër. Deputetja shqiptare e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti gjatë fjalës së saj tha se është në nderin e kësaj Asambleje që të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Pas debateve që zgjatën mbi 2 orë u kalua për votim fillimisht të amendamenteve, ku pjesa me e madhe e tyre ishin paraqitur nga deputetët serbë dhe nga Bosnje-Hercegovina, por që të gjitha u rrëzuan në bllok.

Pas dhënies së kësaj drite jeshile, hapi i radhës dhe final është në mesin e muajit Maj, i Këshillit të Ministrave këtij organizmi.

Ministrat e Jashtëm do të votojnë pro ose kundër që Kosova anëtare e Këshillit të Evropës, propozim ky i votuar me shumicë votash nga Asambleja Parlamentare e KiE.

Tv Klan