Autori i masakrës, militant i ISIS. Bleu ligjërisht arme disa ditë para sulmit



Autori i masakrës, militant i ISIS. Bleu ligjërisht arme disa ditë para sulmit

12:09 13/06/2016

Një ditë pas masakrës ndaj klubit të homoseksualëve, autoritetet në Oralndo bënë publike detaje të reja rreth ngjarjes. Mësohet se Omar Mateen, 29-vjeçari amerikan me origjinë nga Afganistani i kishte telefonuar policisë nga brenda klubit dhe kishte premtuar besnikëri ndaj Shtetit Islamik. Pak orë pas përfundimit të masakrës, ISIS përmes kanalit zyrtar Amaq-news njoftoi se sulmi ishte kryer nga një ushtar i kalifatit.

Ndërkohë numri i të vrarëve nuk është 50 siç u raportua më herët, por 49. Mes viktimave është edhe Eddie Justice, mesazhet e të cilit bënë xhiron e botës pasi u publikuan nga e ëma. Si pasojë e sulmit u plagosën edhe 53 persona të tjerë.

Policia e Orlandos njoftoi se arma me të cilën Omar Mateen kreu sulmin është një automatik AR-15, një pushkë që përdoret edhe nga ushtria amerikane. Agresori e kishte blerë armën pak ditë para se të kryente vrasjen masive.

Sipas legjislacionit amerikan, një armë e tillë mund të blihet brenda ditës në SHBA. Një fakt i tillë sjell edhe një herë në qendër të vëmendjes debatin e madh për ligjin e armëve.

Në fjalën e tij për ngjarjen tragjike, presidenti amerikan Barak Obama, tha se “të rrish duarkryq është gjithashtu një vendim”, duke nënkuptuar se duhet vepruar sa më shpejt për ashpërsimin e ligjit të armëve.

Omar Mateen ishte në listën e të vëzhguarve të FBI-së, si i dyshuar për lidhje me terrorizmin. Ai ishte marrë 3 herë në pyetje nga autoritetet, dy herë në 2013 dhe një herë në 2014. Mateen kishte punuar më herët si punonjës sigurie për një kompani private, një pozicion pune që i mundësonte të mbante edhe armë.

Masakra në Orlando cilësohet si më e rënda në historinë moderne të SHBA-ve, duke kaluar atë të 2007-ës në Virginia ku u vranë 32 persona.

Tv Klan










Të ngjashme