Një ditë më parë, nëpërmjet një njoftimi për mediat, OFL tha se i kishte nisur kërkesë me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë Mario Meshinit, i akuzuar për vrasjen e Devi Kasmit.

Por avokati i tij Ulian Barjami, në një reagim për njoftimin i OFL, thotë se policia ka shtrembëruar të vërtetën për klientin e tij, duke deklaruar se Mario Meshini nuk është subjekt i Aktit Normativ.

Avokati i Mario Meshinit sfidon OFL: Nuk jemi subjekt i Aktit Normativ Nr 1, datë 31.01.2020, referuar nenit 18/1 e për më tepër nenit 5 e 16. I mbrojturi prej meje është akuzuar dhe gjykuar për veprën penale “Moskallëzim të Krimit”, parashikuar nga neni 300/1 i Kodit Penal. Është tjetër gjë të akuzohesh dhe tjetër gjë të dënohesh.  Pra, përveç Aktit Normativ është shkelur në mënyrë flagrante parimi i prezumimit të pafajësisë. OFL-ja nuk njeh kufij, por merret edhe me veprat e moskallëzimit të krimit. Me këtë logjikë, kushdo që ka pasur një proces gjyqësor, edhe për kundravajtje penale apo vepra të lehta penale, mund të jetë subjekt i OFL-së. Pra, Akti Normativ nuk paska nevojë për dispozita. Cilësimi juridik i veprës penale është ndryshuar nga prokuroria dhe është miratuar nga gjykata. Pra, i dyti që sfidon OFL-në dhe refuzon deklarimin”, shprehet në deklaratë avokati Ulian Barjami.

Në njoftimin e së premtes të OFL thuhej: “Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasit Mario Meshini, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja me paramendim”./tvklan.al