Momente prekëse babë e bir gjatë rubrikës “Ka Një Mesazh Për Ty” nga “E Diela Shqiptare”. Programi i të dielës në Tv Klan organizoi një surprizë së bashku me Besarin, i cili thirri babain e tij për t’i dhënë një diplomë të veçantë, atë që nuk ta jep asnjë institucion në botë.

Halili, babai i Besarit nuk pati kurrë mundësinë të merrte diplomën e shkollës së lartë për shkak të sistemit diktatorial të së shkuarës, por ai diti si të triumfonte si prind. Një prind shembullor për Besarin dhe vajzën, të cilëve iu ka mësuar pikërisht temën e diplomës së tij: dashurinë.

Ardit Gjebrea: Zoti Halil, çfarë kënaqësie mund të ndiejë një prind kur shikon një djalë të tilë dhe mirënjohjen e tij që ta shprehë në mënyrë publike dhe kaq të tjerë?

Halil: Unë, në radhë të parë, më sjell një ngushëllim në veten time. Atë që nuk e arrita dot unë, sot e arritën fëmijët e mi. Kam vajzën, ka mbaruar Matematikë-Fizikë, ka 10 vjet punë. Kam djalin infermier dhe ia kam rekomanduar unë më tepër këtë profesion për vetë faktin se ka të bëjë me njerëzit, zanati nuk vdes kurrë.

Besari: Babai im, siç ta përmenda edhe pak më parë, nuk mund të quhet një njeri i kompletuar ose i vlefshëm sepse disponon një diplomë. Shkolla është pjesë e jetës, na ke mësuar ti dhe si pjesë të jetës, unë kam zgjedhur një moment shumë pikant për të transmetuar atë lloj momenti dhe atë lloj dokumenti që quhet diplomë të cilën ti nuk munde ta merrje në momentin e duhur. Unë si individ, së bashku me produksionin e këtushëm, kemi zgjedhur një mënyrë tepër origjinale që të transmetojmë atë, të të falim atë që ti kurrë nuk munde ta merrje. Ne kemi zgjedhur ta quajmë “diploma e dashurisë”. “Unë Besari, me krenari deklaroj që Halil Refatllari është babai më i mirë në botë”.

Halil: Dhe në këtë moment kaq kulminant, unë desha të thoja vetëm një mesazh: Dashuria, dashuri për të gjithë. Dashuri për njëri-tjetrin, vetëm dashuria është ajo që do të na shpjerë diku, urrejtja nuk të shpie askund./tvklan.al