Gjashtëdhjetë (60) familje të komunitetit rom në Shkozë kanë marrë zgjidhje përfundimtare për banesat se ku do të jetojnë. Bashkia e Tiranës së bashku me mbështetjen e ambasadës së Italisë kanë arritur të ndërtojnë shtëpitë një katëshe për këtë komunitet në afërsi të ish-kombinatit të Autotraktorëve.

Kreu i bashkisë Erion Veliaj, tha se Tirana është kryeqyteti i parë që i jep zgjidhje përfundimtare strehimit të komunitetit rom.

“Në 27 vjet mund të jenë bërë 270 kronika vetëm për këtë komunitet. Por, sot e them me krenari se jemi qyteti ose kryeqyteti i vetëm në Europë, që nuk ka një komunitet rom që jeton në një lagje me tenda në territorin e qytetit. Ta arrish këtë në një vend si Shqipëria, do të thotë se kemi shumë dinjitet”.

Sipas materialit të dërguar nga Bashkia e Tiranës, projekti “New House – New Life, ka vetëm tre kushte: familjet rome që jetojnë aty nuk duhet ta shfrytëzojnë banesën për përfitime ekonomike, fëmijët e tyre duhet të ndjekin rregullisht mësimin dhe duhet të pranohet puna që ofrohet nga zyrat e punësimit.

Ky është projekti i dytë që ndërtohen banesa për këtë komunitet, pas 60 familjeve në Lanabregas.

Tv Klan