Gjekmarkaj: Të largohet qeveria jo qytetarët, Noka: Ka humbur shpresa për një jetë më të mirë

Gazmend Bardhi u shfaq optimist nga Mati kur deklaroi se në 2025 do të ndodhë ndryshimi i qeverisjes. Për kreun e grupit demokrat rrokada do të ndodhë edhe falë sakrificës së demokratëve për bashkimin e Partisë Demokratike.

“Përgjegjësia ndaj asaj që do Shqipëria na ka bërë sot të gjithëve bashkë për të nisur një rrugëtim një vjeçar deri në zgjedhjet e ardhshme që nuk do të jetë i thjeshtë, por nuk është fare i pamundur dhe ne do ja dalim, ne do t’i fitojmë zgjedhjet e 2025. Nuk ka ndodhur kurrë që Shqipëria në këto 30 vite të bëjë kaq shumë hapa pas sa ka bërë në këto 12 vite qeverisje e Edi Ramës.”

Nënkryetari i PD-së Agron Gjekmarkaj e cilësoi betejën e demokratëve pa kthim kundër pushtetit që sillet si një regjim.

“Partia Demokratike është vënë në lëvizje, është vënë në ecje. Ajo do të ndalet vetëm në fitoren në zgjedhjet e ardhshme. Bashkimi i saj ka ngjallur shpresë, energji dhe është ngjarja më e madhe që ka ndodhur në këto vite për çdo demokrat dhe qytetarë të Shqipërisë. Jemi në një betejë pa kthim, pa kompromis. Në çdo vend ku një qeveri është e korruptuar, ku një qeveri punon kundër popullit të vet ikën qeveria dhe nuk ikën populli.”

Për humbjen e shpresës dhe largimin e rinisë foli edhe Flamur Noka duke iu referuar edhe banorëve të Matit.

“Është e vështirë që të shohësh shpresë në fytyrat e çdo qytetari matian dhe kudoqoftë që të ketë brenda tij një energji dhe një rrezatim besimi në këtë vënd, se ky vend bëhet dhe ky vend do të ringrihet. Është shumë e trishtë të shohësh akoma në vitin 2025 në çdo dyqan të Matit, të shohësh lista ushqimesh. Kjo nuk mund të ndodhte në një vend tjetër përveçse në Shqipërinë e Edi Ramës.”  

Turi i takimeve me bazën demokrate ka nisur prej disa javësh pas procesit të bashkimit dhe protestës së 20 Shkurtit. 

Klan News