Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikeve Specialistët e Seksionit për Hetimin e narkotikëve në DVP Tiranë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “BARON”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 3 persona.

Ata janë Luan Gaçi 43 vjeç, banues në Vorë, Xhuljo Liçi 28 vjeç (punonjës policie) banues në Fier dhe Ded Nimani, 62 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.

Mbi bazën e informacioneve të marra nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë se Ded Nimani dhe Luan Gaçi në bashkëpunim me njëri-tjetrin merreshin me veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve konkretisht duke blerë kokainë në sasi 1 deri në 2 kilogramë, dhe më pas duke e shitur atë në zona të ndryshme të Tiranës, si dhe në kufi me qarkun e Durrësit me qëllim shmangien e prezencës policore, kanë organizuar punën duke i mbajtur nën vëzhgim.

Në aksin rrugor Tiranë-Durrës, rruga e vjetër në zonën e Ndroqit, Xhuljo Liçi dhe Ded Nimani, janë kapur në flagrancë së bashku me Luan Gaçi, me një pako lëndë narkotike Kokainë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike me peshë totale 1 kilogramë e 88 gramë, dy automjete, pesë aparate celular dhe një armë zjarri pistoletë me municion luftarak.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale./tvklan.al