Shqetësimi i ngritur pak ditë më parë nga përfaqësues të opozitës se një zyrtar i Komisionit Europian u ka kërkuar aleatëve të djathtë të hynë në zgjedhje, pasi në mungesë të Partisë Demokratike do të marrin më shumë mandate, ka sjellë reagimin në kampin blu.

Paraditen e se enjtes Lulzim Basha mblodhi aleatët, të cilët vendosën t’i drejtohen me ankesë zyrtare Komisionit Europian në Bruksel për diplomatin e huaj. Sipas opozitës kjo është një përpjekje për të përçarë opozitën, e cila sipas kryetarit demokrat Lulzim Basha është e vendosur të mos lëvizë nga kërkesa për zgjedhje të lira e të ndershme.

Gjatë një takimi me të rinjtë Basha foli për sasi të mëdha droge që fshihen nga policia e Durrësit.

Përpara mbështetësve të opozitës Basha tha se dita e re për fitoren e kauzës së opozitës po afron me Republikën e Re.

Tv Klan

—-

Basha: Fiksojeni mirë, zgjedhje me 18 qershor nuk do të ketë!

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi pas deklaratave të socialistëve se zgjedhjet do të mbahen në datën e caktuar, duke thënë se “zgjedhje me 18 qershor nuk do të ketë”

Edhe sot hodhën dorashkën ndaj një populli të tërë se nuk do të tërhiqen, se nuk do të ketë qeveri teknike, se zgjedhjet do të mbahen me 18 Qershor. Mbani mend dhe fiksojeni mirë, dëgjojeni mirë, këtë që ju them dhe jua them me siguri totale të një popullit të bashkuar rreth kauzës së vet dhe rreth flamurit kombëtar. Zgjedhje me 18 qershor nuk do të ketë. Edi Rama do të largohet, një qeveri teknike do t’i hapë rrugën zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Orët e drogës, orët e krimit po numërohen mbrapsht.

Basha po fliste nga çadra e Lirisë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, pak metra nga ku Partia Socialiste po mbante një miting me votuesit për herë të parë.

Ai paralajmëroi se “të gjitha koncesionet do të anulohen”, por më parë duhet të mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Pak metra më këtej, mjeranët e krimit dhe të korrupsionit kanë mbledhur me zor një grup njerëzish të cilëve mundohen tu shpëlajnë trutë. E kanë të kotë, të rinjtë dhe qytetarët e pranishëm në atë shesh e dinë që njeriu që u flet për zhvillim është njeriu që shkatërroi ekonominë shqiptare, që premtoi 300 mijë vende pune dhe çoi 300 mijë shqiptarë në emigracion.”

Basha tha se ata janë majmur me milionat e drogës dhe nuk dinë çfarë broçkullisin.

E di unë, e di ai, e di ministri i Brendshëm, e dinë të gjithë institucionet se mu në Manzë, 30 km prej këtu, ka një magazinë me 100 tonë drogë. E mbron një nga krye të korruptuarit e policisë së shtetit, Perlat Cullaj, që e ka emrin në listën e çdo agjencie ligj-zbatuese perëndimorë

.”

Basha tha se megjithëse e dinë nuk kanë guxim ta prekin se nuk janë këta bosët e Perlatit, por është Perlati bosi i tyre.  

/tvklan.al