“Përsërisim edhe një herë thirrjen tonë për largimin një orë e më parë të Saimir Tahirit, si një domosdoshmëri për ecjen përpara të procesit hetimor ndaj rastit Shullazi.”

Këtë kërkesë, kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e motivon në lidhjet, që sipas tij, Ministri i Brendshëm ka  me Emiljano Shullazin dhe mbështetjen që 38 – vjeçari ka patur nga qeveria, për të ngritur perandorinë e tij kriminale.

“Emiliano Shullazi, me mbështetjen dhe përkrahjen e lidhjeve të tij qeveritare është pasuruar në këto dy vite, duke iu vënë pistoletën në kokë biznesmenëve duke iu thënë “o gjobën, o jetën!”,

deklaroi Basha.

Këto lidhje, sipas kreut të demokratëve, kompromentojnë pozitat e Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm, në procesin gjyqësor ndaj Emiljano Shullazit.

“Edi Rama dhe Saimir Tahiri janë në zi dhe në këmbë për ta ndalur, për ta sabotuar këtë hetim”,

tha Basha.

Kreu i Partisë Demokratike i bëri këto deklarata pas mbledhjes së Grupit Parlamentar me dyer të mbyllura, ku çështja ‘Shullazi’ dominoi diskutimet.

Ish – Kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli mësohet të ketë vlerësuar ish – Kryeministrin Berisha për denoncimet e bëra publikisht, që çuan sipas saj, në arrestimin e Emiljano Shullazit.

Jolldiz Mitro/Tv Klan