Vendimi për negociatat, Basha: Përgjegjës është Rama

Vendimi për negociatat, Basha: Përgjegjës është Rama

21:40 18/06/2019

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi se përgjegjësi për mos hapjen e negociatave, është vetëm kryeministri Rama.

“Mos u gënjeni nga propaganda e tij. Ka vetëm një përgjegjës për refuzimin e vazhdueshëm ndaj Shqipërisë: Është qeveria dhe Edi Rama. Ka vetëm një arsye pse na janë mbyllur dyert e Europës: korrupsioni dhe krimi. Negociatat sot do të ishin hapur, nëse Shqipëria nuk do të kishte qeverinë më të korruptuar në Europë, nëse Shqipëria nuk do të ishte zonë e lirë e drogës dhe e krimit”.

Sipas Bashës, kryeministri Rama do të fajësojë opozitën dhe Europën për këtë dështim.

“Propaganda e Edi Ramës dhe mercenarëve të tij, do të përpiqet ta mohojë refuzimin. Pasi do të dështojnë ta mohojnë, do të përpiqen t’ia veshin fajin të tjerëve. Edi Rama do të fajësojë Europën se ka probleme të vetat. Do të fajësojë opozitën që nuk rri urtë para keqqeverisjes së tij. Do të fajësojë gjysmën e botës. Do të fajësojë edhe popullin e vet. Nuk do të fajësojë vetëm një njeri: Edi Ramën”.

Basha theksoi se nuk do të ketë negociata për aq kohë sa krimi qeveris vendin dhe zgjedhjet vidhen nga bandat. Në përfundim të fjalës kreu demokrat përsëriti ftesën për qytetarët që të bashkohen në protestën e së premtes përpara kryeministrisë.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT