Basha: Kosovës nuk i nevojitet protagonizmi i Tiranës


Basha: Kosovës nuk i nevojitet protagonizmi i Tiranës

15:35 21/07/2020

“Kundër çdo ideje për ndarjen e Mitrovicës”

Në ditën e dytë të qëndrimit në Kosovë, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u prit edhe nga kreu i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Temat e diskutuara nisën me pandeminë pa lënë mënjanë negociatat Prishtinë-Beograd dhe akuzat e Gjykatës Speciale, ndaj Ahmeti kërkoi ndihmën e Tiranës në këtë situatë të vështirë për Kosovën.

“Pra, është periudhë e vështirë, ta saktësoj, po t’i shtohet edhe çështja e problemeve ekonomike e shëndetësore, që i kemi për shkak të pandemisë, e pastaj edhe krizën politike, mendoj se ndihma e Shqipërisë tashmë është më e domosdoshme se kurrë”.

Por Basha thotë se qeveria e Tiranës duhet të jetë mbështetëse dhe jo protagoniste kur flitet për Kosovën.

“Shërbimi më i mirë që mund të bëjë Tirana është të qëndrojë larg protagonizmit të pavend dhe iniciativave të pa konsultuara, të cilat kanë sjellë dëme, që duhen rikuperuar”.

Në krah të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, kryedemokrati Basha theksoi qëndrimin e opozitës shqiptare kundër çdo ideje për ndryshim të kufijve apo ndarje të Kosovës.

“Kundër çdo ndarjeje të Mitrovicës”.

Në Mitrovicë Basha vizitoi kullën e Isa Boletinit dhe kreu homazhe në varrin e tij. Pasardhësit e heroit i bënë Bashës një dhuratë të veçantë. Kreu i opozitës zhvilloi homazhe edhe pranë varrit të ish-Presidentit Ibrahim Rugova, për ta përmbyllur vizitën në Prekaz te memoriali i familjes Jashari.

Gjatë 2 ditëve në Kosovë Basha u prit nga autoritetet më të larta, Presidenti Thaçi, Kryeministri Hoti, kryeparlamentarja Osmani dhe krerët e partive politike kryesore në vend.

Tv Klan




Të ngjashme