Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të bashkohen në protestën e nesërme të opozitës, pasi sipas tij, në këto orë do të vendoset fati i Shqipërisë për 15 vitetet e ardhshme.
“
Pak orë na ndajnë nga protesta e nesërme, në këto orë kritike për demokracinë, në këto orë kur do të vendoset fati i 15 viteve të ardhshme, i fëmijëve tanë, i të gjithë shqiptarëve, le të bashkojmë zemrat dhe mendjet, le t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit, pavarësisht bindjeve politike, le të çlirojmë Shqipërinë nga zgjedha e krimit, të djathë dhe të majtë le të derdhemi nesër në orën 18:30 në shesh, në betejën vendimtare për liri, demokraci, për Shqipërinë si gjithë Europa. Ndani orë nga mbrëmja juaj nesër që të mos ndani mjerim, dhimbje për dekadat që vijnë. Bashkohuni me ne!
”
Basha foli para protestuesve të mbledhur para Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku kërkojnë lirimin e të gjithë të shoqëruarve dhe arrestuarve për dhunë në protestën e mbrëmshme të opozitës.
Kryedemokrati tha se shqiptarët nuk ndalen para dhunës dhe se “junta e Edi Ramës i ka ditët e numëruara.”
“
Vetëm pak orë më parë e gjithë qendra e Tiranë, rrugët e sheshet, shtëpitë e tiranasve u mbushën nga dozat luftarake të gazit helmues dhe gazit lotsjellës, që ishte akti kriminal, me të cilin kjo juntë kriminale u përgjigjet aspiratës së shqiptarëve për liri e demokraci. E kanë të kotë. Populli, opozita, shqiptarët nuk ndalen. Javë pas jave e muaj pas muaji, që nga dita kur Edi Rama e mori pushtetin me bandën e krimit është asgjësuar çdo institucion. Parlamenti ishte i pari që ra. Në ato karrige ulen sot figurina që janë zgjedhur me gishtat, duart, mendjet e krimit dhe jo me votën e lirë të shqiptarëve. Ata nuk përfaqësojnë as demokratët, as socialistët, por faqen e zezë, llumin që e ka marrë peng këtë vend.
E gjithë Shqipëria e bashkuar kundër një grushti horrash që përmes një grushti shteti kanë instaluar juntën në vend. Junta i ka orët e numëruara, Maduro i Ballkanit i ka orët e numëruara. Skenari i dhunës që vuri dje në lëvizje me kriminelë të veshur me uniformë, me kriminelë të tjerë të infiltruar në turmën e protestuesve paqësorë, skenari i shërbeu Ramës vetëm për të treguar para botës se i vetmi i interesuar për dhunë është kreu i Juntës
”, tha Basha. /tvklan.al