papa-francescoKryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha njoftoi sot nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook se do t’i dorëzojë Papa Françeskut, gjatë vizitës së tij në Shqipëri titullin “Qytetar Nderi”.

Basha thotë se motivacioni është: “Në nderim të veprimtarisë dhe përkushtimit që ka dëshmuar çdo ditë për të respektuar dhe inkurajuar njerëzit e thjeshtë, pa ndasi fetare apo status social, nëpërmjet shembullit të jetës së tij dhe veprave, në krye të Selisë së Shenjtë si dhe përzgjedhjen për të vizituar dhe bekuar si kryeqytetin e parë të Europës Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, simbol i bashkëjetesës fetare, i një populli besimplotë dhe mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme që i ka dhënë Selia e Shenjtë.”

Kryebashkiaku Basha shkruan se Tirana dhe Shqipëria janë pa dyshim një shembull për mbarë botën i tolerancës dhe bashkëjetesës civile të njerëzve, në respekt të përkatësive të tyre fetare, sekulariste apo krahinore.

“Sot, bota ka shumë nevojë për këtë shembull të shkëlqyer të respektit të besimtarëve dhe komuniteteve respektive për njëri tjetrin, që shqiptarët përçojnë ditë pas dite – shkruan Basha në Facebook.

Tv Klan