Përgatituni për ditën e gjykimit!” Ky ishte paralajmërimi i fortë i liderit të opozitës, Lulzim Basha, për të gjithë ata që kanë abuzuar me pushtetin.

Drejtësia ka vonuar, por drejtësia nuk do të mungojë!”- tha Basha, i cili nuk la jashtë vëmendjes edhe kriminelët. “Ne do t’ju shtypim pa mëshirë! Do ta pastrojmë Shqipërinë nga fara juaj shkatërrimtare! Me fundin e këtij regjimi kriminal, ne do t’i japim fund politikës së të fortëve.”

Basha u tha ndjekësve të tij se shpëtimi nuk do të vijë nga jashtë!

Dinjitetin nuk do ta gjejmë duke bërë viktimën. Forcën nuk do ta gjejmë duke fajësuar të tjerët. Shpëtimi nuk do të na vijë nga jashtë. Zgjidhja nuk do vijë me magji. Punën nuk do të na e bëjnë të tjerët. Në rrugën tonë do të kemi ndihmën e miqve. Në betejat tona nuk do të jemi vetëm, por beteja është e jona”, tha Basha.

Ne besojmë tek e ardhmja e ndritur e Shqipërisë. Koha është e shqiptarëve. Zoti është me shqiptarët.

Në fjalën e tij para mijëra mbështetësve në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, në protestën e 10 kombëtare të opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha po ashtu se nuk do të ketë zgjidhje politike pa u dënuar ata që vodhën votat.

Dua ta deklaroj para gjithë botës: Derisa të dalin para drejtësisë, ata që vodhën votat e shqiptarëve, bashkë me krimin, nuk do të ketë zgjidhje politike. Ne do të bëjmë çdo përpjekje Do të përdorim çdo mjet për t’i nxjerrë ata para drejtësisë. Bashkë me ta, do të largojmë Edi Ramën nga pushteti. Njeriun që e solli krimin në politikë, njeriu që ia la shtetin në dorë krimit.

Pa u larguar Edi Rama nga pushteti: Nuk do të ketë drejtësi. Nuk do të ketë zgjedhje të lira. Nuk do të ketë demokraçi. Nuk do të ketë integrim në BE”, u shpreh Basha.

Kryedemokrati tha se përpjekja 6 vjeçare e PD, këmbëngulja dhe qëndresa e saj triumfoi.

Këto përpjekje po sjellin ndryshimin e madh. Jo vetëm largimin e kësaj qeverie, por ndryshimin e thellë të vendit”, tha Basha, i cili shprehu besimin se shqiptarët janë të etur, jo për ndryshim të përkohshëm e ndryshim fals, por ndryshim të vërtetë. “Jo ndryshim fasadë, por një ndryshim që do t’u japë fund krizave dhe traumave të tranzicionit. Një ndryshim që do të na fusë në rrugën e sigurt drejt Bashkimit Europian dhe vlerave perëndimore. Kriza duhet të zgjidhet dhe do të zgjidhet me parime, dhe jo me pazare. Kjo krizë do të zgjidhet duke i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Ata që e kanë sjellë vendin në këtë vend, ata që sollën krimin në politikë, ata që u korruptuan, nuk do të dalin nga kriza si shpëtimtarë, por si përgjegjës. Vetëm kjo e shpëton të ardhmen evropiane të Shqipërisë: Nxjerrja e politikanëve të lidhur me krimin para drejtësisë së pavarur. Vetëm drejtësia përmes ligjit”. /tvklan.al