Akuzave të kryetarit të PL, Ilir Meta për djegien e mandateve në vitin 2019, Lulzim Basha u është përgjigur me të njëjtën monedhë. Në konferencën për media, Basha tha se Meta ka qenë një nga personat që nxiti djegien e mandateve të opozitës dhe këtë përgjegjësi ia ka “faturuar” atij.

Lulzim Basha: Ilir Meta ka qenë nxitës i djegies së mandateve njësoj si të tjerët. Disa e kanë kurajon ta pranojnë disa të tjerë si Ilir Meta hedhin gurin fshehin dorën. Është një pazarxhi kronik i cili tani problemet nuk i ka më as Partinë Demokratike dhe as me qytetarët shqiptarë, por i ka atje ku i ka dhe të përballet me problemet që ka. Prandaj Ilir Meta ka pushuar së ekzistuari si faktor politik. Me Ilir Metën dhe LSI nuk ka për të pasur më asnjë marrëdhënie politike.

Basha tha se Meta është edhe arsyeja pse ai së bashku me deputetët e tij nuk shkon në protestën para Bashkisë së Tiranës.

Lulzim Basha: Nuk mund të bëhet protestë para Bashkisë me Ilir Metën. Faqja e zezë! Të thërrasësh protestë kundër korrupsionit në Bashki dhe të vesh në ballë të protestës Ilir Metën, a ka njeri që nuk e kupton që ky është autogol?!

Për kërkesën që opozita ridepozitoi në gjykatën Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, Basha tha se është një tjetër pazar i PD që drejtohet nga Sali Berisha dhe një falimentim politik.

Lulzim Basha: Ky është një akt plaçidimi, qetësimi, bëjmë sikur, ndaj është një akt i papërgjegjshëm politik. Përpjekja për ta rikthyer në gjykatë Kushtetuese është falimentim politik, është pazar që vazhdon akoma të japë efektet e veta.

Por teksa sulmon një pjesë të opozitës, ai tha se grupi që drejtohet prej tij nuk ka në plan protesta kundër qeverisë “Rama”.

Lulzim Basha: Ne kemi zgjedhur një tjetër rrugë. Ne kemi zgjedhur rrugën institucionale, nuk kemi zgjedhur rrugën e flakadanëve. Ata që zgjodhën rrugën e flakadanëve, ata që premtuan revolucion, ne nuk kemi premtuar revolucion, se ne e dimë se çfarë sfidash kemi përpara dhe kemi përvijuar rrugën se si të përballemi me këto sfida. Ne besojmë që këto sfida përballen duke iu dhënë shqiptarëve alternativën.

Basha tha gjithashtu se do të dërgoj në parlament dy amendamente për të mbështetur punën e SPAK, duke theksuar se PD që drejtohet prej tij është e fokusuar në luftën kundër korrupsionit.

Klan News