Paralajmërimi për themelimin e njëanshëm të Bashkësisë së Komunave serbe, nga ana e serbëve të veriut është i papranueshëm për qeverinë dhe opozitën kosovare. Një veprim i tillë, sipas qeverisë, do të ishte humbje kohe për serbët dhe njëkohësisht edhe bllokim në procesin integrues.

Siç raporton

Klan Kosova,

politikanët serbë të veriut të Kosovës janë duke ndërmarrë veprime me qeverinë në Beograd për të themeluar bashkësinë e komunave me shumicë serbe, në mënyrë të njëanshme, si shenjë kundërveprim ndaj zvarritjes së formimit të tij nga ana e qeverisë së Kosovës.

Madje, sipas burimeve nga veriu, serbët janë të gatshëm të veprojnë jashtë Prishtinës, duke mos pritur deri në “pafundësi”.

Por, qeveria e Kosovës, ashtu sikurse edhe opozita, si dhe analistët politikë vlerësojnë se funksionalizimi i njëanshëm i Asociacionit do të bënte që institucionet e Kosovës të mos e pranojnë atë si legjitim dhe se serbët në Kosovë nuk do të kishin kurrfarë përfitimi nga formimi i tij.

Mosrespektimi i marrëveshjeve të Brukselit nga ana e Serbisë do të bënte që kësaj të fundit t’i bllokohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka thënë se vetëshpallja e Bashkësisë së Komunave është një hap i pamundur, ndërsa ka shtuar se nëse Serbia nuk zbaton marrëveshjet me Kosovën do ta ketë të pamundur anëtarësimin në Bashkimin Evropian./tvklan.al